Duke parë rritjen shqetësuese të sëmundshmërisë kronike, qeveria ka përditësuar strategjinë kombëtare, në përputhje me kornizën globale të OBSH-së, me synimin për të ulur vdekshmërinë e parakohshme deri në vitin 2030. Objektivi është ambicioz: 25% ulje e humbjeve të jetës nga sëmundjet kronike, krahasuar me nivelin bazë të vitit 2010.
Për të frenuar përhapjen e faktorëve të rrezikut, strategjia parashikon reduktime të ndjeshme në disa indikatorë kyç. Duhanpirja synohet të ulet me 20% deri në vitin 2030, duke frenuar veçanërisht rritjen e konsumit te gratë dhe tek të rinjtë.
Po aq shqetësues mbetet sedentarizmi tek fëmijët dhe adoleshentët, i cili do të synohet të pakësohet me 10% për të ulur rreziqet e mëvonshme të obezitetit dhe diabetit.
Strategjia fokusohet edhe te hipertensioni, një ndër faktorët më të rrezikshëm për infarktin dhe goditjen në tru. Qëllimi është ulja me 10% e prevalencës së tij, duke shtuar vetëdijen për kontrolle të herëshme, sidomos te moshat mbi 50 vjeç. Sa i takon diabetit, synimi nuk është ulja, por ndalimi i rritjes së përhapjes — një shifër që prej vitesh vijon trendin në ngjitje.
Një nga shtyllat kryesore të strategjisë është vetë fuqizimi i kapaciteteve të sistemit shëndetësor. Deri në vitin 2030, të paktën 80% e pacientëve me rrezik për aksidente ishemike në zemër dhe tru duhet të marrin terapi dhe këshillim me medikamente, përfshirë kontrollin e glicemisë. Po ashtu, 80% e pajisjeve diagnostike dhe trajtimeve bazë për sëmundjet kronike duhet të jenë të garantuara në çdo shërbim publik dhe privat.
Në një realitet ku shpenzimet nga xhepi për trajtimin e sëmundjeve kronike rëndojnë buxhetet familjare, strategjia kërkon një qasje të re: investim të qëndrueshëm, parandalim më të fortë, diagnostikim të hershëm dhe ndërgjegjësim të popullatës. Pa këto masa, izolimi i pandemive të heshtura si diabeti, hipertensioni dhe obeziteti mbetet një mision edhe më i vështirë.
..