Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar zyrtarisht, duke konfirmuar dy masat e sigurimit të vendosura ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Hetimet kanë zbuluar shkelje të mundshme ligjore në procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë, ku Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, dyshohet se ka paracaktuar fituesin dhe ka krijuar avantazhe të padrejta për operatorët ekonomikë fitues.
SPAK njofton gjithashtu se shkelje të ngjashme janë konstatuar edhe në procedurat e tenderimit për projektin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 4. Në këtë rast, Balluku, së bashku me disa pjesëtarë të Njësisë së Prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, dyshohet se ka favorizuar operatorë të caktuar duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta.
Prokuroria sqaron se të dyja rastet janë në kundërshtim me ligjet për prokurimin publik dhe parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e plota dhe për të zbardhur në detaje veprimet e dyshuara në këto procedura tenderimi.
