Te premten fillon përmirësimi i kushteve të motit me kthjellime dhe vranësira kalimtare..
Deri në mesnatë vijojnë reshje me intensitet mesatar deri të lartë kryesisht në qendër dhe jug, më të pakta në veri, ndërsa pas mesnatës pritet përmirësim i dukshëm i motit në të gjithë vendin.
Nesër paradite në veri dhe qendër do të ketë vetëm reshje shumë të pakta shiu dhe dëbore në zonat malore, ndërsa në jug e juglindje në pjesën e dytë të ditës rikthehen rrebeshe afatshkurtra më intensive, veçanërisht në Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Përmet dhe Korçë. Temperaturat bien ndjeshëm, me minimale pranë 0–2°C në zonat malore dhe verilindore dhe maksimale rreth 15–16°C në zonat perëndimore, ndërsa era lindore-verilindore fryn me intensitet mesatar gjatë gjithë ditës.
Të premten moti mbetet pjesërisht i paqëndrueshëm me reshje shumë të pakta, kryesisht dëborë në gjysmën lindore të vendit. Nga e shtuna deri të martën parashikohen kryesisht kthjellime dhe vranësira kalimtare, me flokë dëbore vetëm në zona të izoluara malore në verilindje dhe juglindje. Temperaturat e mëngjesit zbresin në 0–1°C gjatë fundjavës, por në mesditë termometri rritet gradualisht, nga rreth 18–19°C të dielën në mbi 20°C në fillim të javës së ardhshme.
