Një studim i Kombeve të Bashkuara tregon se, pavarësisht zhvillimit të shpejtë të turizmit në Shqipëri, pabarazia gjinore mbetet e theksuar.
Gratë përbëjnë 62% të fuqisë punëtore në sektor, por vetëm 12% mbajnë pozicione drejtuese, ndërsa burrat zotërojnë 84% të roleve kyçe. Raporti nënvizon se hendeku i pagave është i ndjeshëm, me gratë që fitojnë rreth 700 euro kundrejt 1500 eurove të burrave për të njëjtën punë.
Sipas UN Women, gratë hasin më shumë vështirësi në marrjen e kredive, janë më të pasigurta në vendin e punës dhe raportojnë raste të ngacmimeve, të cilat shpesh nuk denoncohen nga frika e humbjes së punës. Ekspertët kërkojnë rritjen e kontrolleve dhe politika më të forta për barazi pagese dhe kushte të sigurta pune. Studimi thekson se adresimi i këtyre problemeve është kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
