Seanca maratonë e së enjtes në Kuvend u shoqërua me tensione, pasi debatet shpërthyen kur deputeti i PD-së, Flamur Noka, sulmoi Ardit Bidon gjatë fjalës në foltore.
Noka deklaroi se “Gjipeja do të jetë varri politik dhe ligjor” i Bidos, duke e akuzuar për përfshirje në falsifikime dhe në çështjen e pronave në zonën e Himarës. Ai shtoi se Bido dikur kishte kërkuar ndihmë nga ai për punësim.
Ardit Bido reagoi menjëherë, duke ironizuar akuzat dhe duke deklaruar se “sa bën kostumi jot, aq kam pasurinë”. Ai mohoi pretendimet se ka kërkuar punë te Noka dhe theksoi se pasurinë e ka fituar që në moshë të re me punë. Bido akuzoi opozitën se përdor historinë e kombit për qëllime politike, duke e cilësuar debatin e Nokës si të pabazuar.
