Kryedemokrati Sali Berisha ka shpërndarë në rrjete sociale një video të vitit 2016, ku publicisti Kastriot Myftaraj deklaronte në një studio televizive se Edi Rama ishte një “projekt i Sorosit”.
Berisha thekson se Myftaraj ishte “njeriu që pagoi me jetën e tij të vërtetat që iu rrëfeu shqiptarëve”, duke risjellë në vëmendje deklaratat e tij të atëhershme për politikën shqiptare. Në klipin e publikuar, Myftaraj parashikonte se reforma në drejtësi do të realizohej, sistemi zgjedhor do të ndryshohej, ndërsa figura të njohura politike, përfshirë Berishën dhe Metën, do të përballeshin me akuza.
Në atë kohë, Myftaraj argumentonte se Edi Rama nuk ishte një projekt politik vendas, por një figurë e mbështetur ndërkombëtarisht, duke iu referuar publikimeve të lidhura me fondacionet e Sorosit. Publicisti i njohur ndërroi jetë tre vite më parë, një ngjarje që u raportua gjerësisht në media dhe që ende rikthehet në debat sa herë përmenden deklaratat e tij të forta për skenën politike shqiptare.
