Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 20-vjeçar, i cili mashtronte shtetas të ndryshëm duke u kërkuar nga 500 deri në 1000 euro, për të mos publikuar në rrjetet sociale fotot e tyre personale.
Erjon Mejdani, hapte adresa false me emra vajzash dhe më pas u shkruante djemve, ku u kërkonte foto dhe pasi u merrte fotot intime më pas i shantazhonte me fotot se do t’i publikonte.
Sipas policisë përmnes mashtrimit dhe shantazhit ai u kërkonte nga 500 deri në 1000 euro, në këmbim të mosbërjes publike të fotove personale.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën kibernetike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Online Threat”. Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi E. M., 20 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, për një periudhë rreth 2-javore, në një rrjet social hapte profile false dhe, gjatë komunikimit me shtetas të ndryshëm, siguronte prej tyre foto personale. Më pas, nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit, u kërkonte shuma monetare nga 500 deri në 1000 euro, në këmbim të mosbërjes publike të fotove personale”, njofton Policia.
Sipas policisë, në datat 05.12.2025 dhe 06.12.2025, Mejdani në mënyrë të përsëritur, ka përfituar shumën 750 euro nga një 36-vjeçar.
