Vrasja e Eduart Reçit më 13 nëntor 2024 në Tiranë lidhet nga policia me konfliktet e tij të vazhdueshme me komshinjtë, ndërsa dy vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Dukaj ndodhen në burg si të pandehur për “vrasje me paramendim”. Dëshmitë e banorëve, mes tyre edhe SPZ Haziz Niçaj, tregojnë se Reçi ishte person konfliktual dhe kishte probleme të shpeshta me fqinjët për çështje pronësie dhe ndërtimi. Vetë Reçi disa herë kishte paralajmëruar policin për takimet me vëllezërit Dukaj, duke shprehur dyshime se mund t’i bëhej “kurth”.
Megjithë dyshimet e tij, mesazhet e përgjuara tregojnë se Reçi kërkonte komunikim normal me Dukajt për të zgjidhur çështjen e parcelave të tokës dhe për të ecur drejt projektit të një pallati. Ai i kritikonte ata për zvarritjen e procesit, duke theksuar se kjo i pengonte afatet ligjore për lejen e ndërtimit. Pak javë pas këtyre bisedave, biznesmeni u ekzekutua në oborrin e biznesit të tij, ndërsa hetimet për motivin e vërtetë vijojnë.
