Publikohet raporti, sa shpenzojnë kandidatët për një karrige në Kuvendin e Kosovës

Si u përzgjodhën kandidatët për deputet nga partitë politike dhe sa shpenzuan ata në tentativën e tyre për të fituar karrigen në parlament?

Këtyre pyetjeve, për herë të parë në Kosovë, u është përgjigjur raporti “Kostoja e Politikës në Kosovë”, një bashkëpunim mes organizatës joqeveritare Demokraci Plus (D+) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD).

LEXO LAJMIN E PLOTË PËR 18

Kjo bëri që, për herë të parë, partitë politike të jenë transparente për shpenzimet dhe burimet financiare gjatë fushatës zgjedhore.

Në bazë të raportit, rezulton se mesatarja e shpenzimeve për një kandidat është 9 mijë e 463 euro, ndërsa kandidatët fitues shpenzojnë mesatarisht 12 mijë e 150 euro. Ata të pazgjedhur shpenzojnë 4 mijë e 90 euro. Sipas raportit, gratë kanë shpenzuar më shumë krahasuar me burrat gjatë fushatës zgjedhore.

Ndërsa sa i përket kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve, partitë dallojnë.

“Në Lëvizjen Vetëvendosje, kandidatët na kanë thënë se është marrë parasysh aspekti gjeografik i përfaqësimit, me ndikimin që këta persona kanë në zonat nga vijnë. Pastaj, ka qenë aftësia polarizuese e kandidatëve në kuptimin e përfaqësimit të temave qendrore, politike dhe ballafaqimit me rivalët politikë.

Aktivistët e hershëm dhe ata që kanë pasur një pushtet ekzekutiv kanë pasur përparësi në lista. Afërsia me liderin dhe me strukturat e partisë ka qenë një kriter tjetër i pashkruar,” thotë Albert Krasniqi, Drejtor i Programeve te “Demokraci Plus”.

Te PDK-ja, rëndësi i është dhënë të kaluarës së pastër të kandidatëve dhe kritereve të tjera.

“Te Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë kriter që të mos kenë aktakuza, të jetë një listë e pastër dhe me integritet; të jenë figura politike dhe të jenë profilizuar në fusha të caktuara. Mosha dhe kandidatët që nuk kanë pasur angazhime të mëhershme politike kanë qenë pjesë e përpjekjes për të paraqitur reforma në parti.

Pastaj, historiku i kontributit për vendin dhe lidhjet me luftën e UÇK-së kanë qenë elementë të rëndësishëm. Po ashtu, është marrë parasysh edhe përfaqësimi gjeografik jashtë rajonit të Drenicës, pasi partia shihet me bazë kryesore aty,” thotë Albert Krasniqi, Drejtor i Programeve te “Demokraci Plus”.