Artikulli i publikuar nga e përditshmja argjentinase La Nación ka ndezur alarmet në prag të Kupës së Botës, duke vënë në qendër Argjentinën kampione dhe një skandal të rëndë financiar. Sipas raportimit, drejtësia argjentinase po heton presidentin e Federatës së Futbollit, Claudio “Chiqui” Tapia, për dyshime mbi pasurim të paligjshëm, çka rrezikon të krijojë telashe serioze për ekipin e Lionel Messit në përpjekjen për të mbrojtur titullin në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Hetimi përfshin bastisje në mbi 15 klube, zyra në Buenos Aires dhe një vilë luksoze në Pilar, e regjistruar në emër të një kompanie të lidhur me persona të afërt të Tapias. Nën lupë janë gjithashtu ekonomisti Pablo Tovigino dhe kompania financiare Sur Finanzas, ndërsa FIFA po monitoron nga afër situatën. Nëse vërtetohet pasurimi i paligjshëm, nuk përjashtohet mundësia e sanksioneve të rënda, madje edhe përjashtimi i Argjentinës nga Finalissima apo Kupa e Botës.
