Strategjia e zhvillimit minerar 2026-2040, 181 mln euro për investimet dhe rrugën drejt BE-së



“Në fazën 2026–2030, politikat e Strategjisë Minerare janë të sinkronizuara me S3, ndaj edhe tavani buxhetor ruhet në linjë me pritshmëritë ambicioze të kësaj strategjie. S3 parashikon një financim total prej rreth 5,912,000,000 lekësh (54,993,500 euro) për periudhën 2025–2030, që korrespondon me rreth 11 milionë euro në vit, një nivel dukshëm më i lartë se buxheti mesatar vjetor historik i sektorit (rreth 5.1 milionë euro/vit).

Kjo kërkon mobilizimin e burimeve shtesë përtej fondeve tradicionale buxhetore, veçanërisht për masat që lidhen me modernizimin teknologjik, dixhitalizimin, kërkim–zbulimin (përfshirë survejet ajrore), standardizimin sipas UNFC dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale. Në fazën e dytë, 2031–2040, buxheti vjetor parashikohet të rritet me një normë fikse prej 3% në vit, me qëllim ruajtjen e fuqisë blerëse reale, garantimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe vijueshmërinë e investimeve në infrastrukturën minerare dhe ekosistemin CRM/SR” thuhet në dokument.

Strategjia argumenton se Opsioni II, në të kundërt, merr si bazë mesataren vjetore të buxhetit të parashikuar nga S3 për periudhën 2025–2030 (1,182,400,000 lekë) dhe aplikon indeksimin 3% mbi këtë nivel për vitet 2031–2040.

“Kjo qasje shmang rrezikun e nënvlerësimit të nevojave financiare, duke reflektuar më besnikërisht kostot reale të modernizimit industrial, kërkimit dhe infrastrukturës teknologjike. Në këtë kuptim, Opsioni II siguron një planifikim më realist dhe të qëndrueshëm afatgjatë, sepse mbështetet në kapacitetin mesatar pesëvjeçar të projektuar nga S3 dhe krijon hapësirë të mjaftueshme për të përballuar angazhimet që burojnë nga CRMA, standardet mjedisore dhe kërkesat e raportimit ndërkombëtar (UNFC–CRIRSCO, ETS/CBAM)” vlerëson strategjia tashmë në konsultim.

Dokumenti ka të paktën pesë politika të zhvilluar brenda saj si :forcimi i vlerësimit dhe nxjerrjes së burimeve, modernizimi, riciklimi dhe diversifikimi i zinxhirit të plotë të vlerës në sektorin minerar, siguria, mjedisi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, forcimi i kapitalit njerëzor dhe teknologjisë dhe së fundmi informacion i integruar dhe transparencë.

Politics