Kompania që zotëron minierën e Spaçit ka leje shfrytëzimi në disa zona të Mirditës: Gurth 1, Gurth 2, Gurth 3, Gurth 4, në Perlat në zonën jugore. Të gjitha këto janë të specifikuara në QKB nga vetë kompania.
Vihet re një ndryshim i objektit të veprimtarisë së kompanisë në vitin 2017, ku ka shtuar kërkimin e floririt. Një ndryshim i cili reflektohet në të dhënat përkatëse por nga ana tjetër ngre pikëpyetje pasi aktiviteti i kompanisë ka të bëjë me bakrin dhe kromin siç vërehet në të dhënat e aksesueshme.
Nëse rikthehemi pas në kohë për të parë të dhënat e zonave minerare të Shqipërisë dhe elementëve që janë nxjerrë nga nëntoka, shohim se ka disa miniera ku është nxjerrë flori e një prej tyre është edhe Spaçi. E quajtur ndryshe miniera e floririt sipas dëshmive të bëra nga minatorë që kanë punuar në këto galeri në periudhën e komunizmit. Këtu, lindin dyshimet për zhvatjen e floririt pa asnjë shpërblim për shtetin shqiptar.
“21 vite kam punuar në minierë nga 79 deri në 95 sa marr një pension të vogël në atë kohë. Të dënuarit politik me nga dy universitete thoshin në Amerikë quhet miniera e arit, i kanë thënë Spaçit sepse ajo përqindje që dilte ari. Pak përqindje por ishte safi ari, pra miniera e arit”, u shpreh ish minatori, Gjon Pjetri
Edhe inxhinierët japin të dhëna që flasin për shumë elementë të rëndësishëm që nxirren nga miniera e Spaçit e që do të ishin një pasuri e madhe për Shqipërinë nëse do të shfrytëzoheshin si duhet. Elementet e rralla, që gjenden atje janë të rëndësishme në industri por edhe të kushtueshme.
“Spaçi e eksportuaka, direkt me 2.5% bakër direkt në eksport si mineral. Në rastin konkret për gurthin, me një rezervë 1 milion e 150 mijë ton rezerva të konturuara, pas një bilanci të 2011 me përmbajtje ari 1.15% ar, ky shitet”, u shpreh gjeologu, Qerim Ismeni.
Askush nuk ka një raport të qartë se çfarë nxirret nga Spaçi e nëse kjo kompani që del me humbje në Shqipëri mund të dalë me shumë fitim jashtë kufijve të territorit shqiptar pikërisht për shkak të këtyre elementëve të rrallë mes të cilëve edhe floriri.
“Ka inxhinierë ka gjeologë që e njohin shumë mirë sektorin, që kanë punuar në sektor dhe që e dinë fare mirë se çfarë përmban minerali i bakrit nxjerrë në Spaç apo në vendburimet e tjera të Shqipërisë, e dinë shumë mirë, me përqindje çfarë është ar, çfarë është bakër dhe çfarë është mineral tjetër. A është ky elementi që justifikon daljen me humbje në këtë rast të Tete Albania, a është ky elementi, se në rast se nuk deklarohet këtu por përfitohet atje matanë kur shkon për tu përpunuar mua nuk më rezulton me humbje, jo është pjesë përbërëse e këtij aktiviteti që zhvillohet këtu në Shqipëri”, u shpreh deputeti, Erion Braçe
Një gjurmim i të dhënave në të shkuarën tregon se floriri në Spaç është nxjerrë me përmbajtje 1.15%, por krahas tij është nxjerrë argjend dhe një sërë elementësh të tjerë të rrallë e të rëndësishëm në industrinë minerare. Në bilancet dhe në kontratën koncensionare a janë marrë në konsideratë edhe këta elementë?
“Askush nuk më garanton as mua dhe askënd se vlera e këtij 1gr ar merret në konsideratë nëpër llogaritjen e çmimit të eksportit dhe ajo si ndërmarrje mund të dalë fare me humbje. Ky mineral me 2.5% bakër dhe 1.15 ar, pra ky kalon në shitje direkt nëqoftëse do të përpunohej në Shqipëri do të merrej koncentrati do të prodhohesh bakër bliser, nga bakër bliser do merrej ari argjendi etj etj”, u shpreh gjeologu, Qerim Ismeni.
Gurët e çmuar që nxirren nga galeritë e Mirditës, Shqipëria nuk fiton asgjë!
Ndodhemi në fshatin Letitna të Mirditës. Në këtë galeri nëntokë ndahen Gurth 1 dhe Gurth 3 ku bëhen kërkimet për bakër. Inside Story ka siguruar material të marrë në galeritë Gurth 3 të cilët që në pamje të parë tregojnë se vlerat e tyre janë të mëdha. Ngjyra e verdhë e cila shkëlqen në diell e forcon lidhjen e tij me floririn. Ndërsa guri tjetër tregon se në përmbajtjen e tij ka shumë zink.
Në galeritë e nëndheshme të Spaçit, aty ku drita e llampës prek sipërfaqen e lagur të shkëmbit, mineralet fillojnë të tregojnë historinë e tyre. Dy gurët që shohim janë harta të fshehta, gjurmë të procesit të thellë gjeologjik që krijon metale të çmuara, përfshirë edhe floririn.
Me sipërfaqe që ndez ngjyrimet e arit, vjollcës dhe blusë, është një përzierje dominuese e piritit dhe kalkopiritit. Shkëlqimi i fortë i arit tregon kristalizim të pastër piritik, pikërisht ato struktura kristalore ku gjeologët e dinë se mund të strehohen gjurmët më të imëta të floririt. Vijat që vezullojnë në ngjyrën vjollcë të kaltër, tregojnë oksidimin sipërfaqësor të kalkopiritit, një mineral që në shumë vendburime sulfurike, përfshirë Spaçin, shërben si “transportues” i floririt në nivele mikroskopike. Edhe ato zona me ngjyrë blu të thellë, ku borniti ndez shkëlqimin e tij vajor, janë shenja se kjo masë është formuar në kushte të nxehta, ku metalet e rënda dhe të çmuara lëvizin së bashku.
Në këtë gur me trupin gri-metalik dhe venat e gjera blu në vjollcë, piriti paraqitet në masë kompakte. Kjo përbën një strukturë të njohur ndër gjeologët si zonë ku floriri tenton të inkorporohet brenda vetë rrjetit kristalor, i padukshëm për syrin e njeriut. Vija të trasha të kalkopiritit të oksiduar ndërpresin masën gri dhe japin pikërisht atë lloj teksture që shihet shpesh në zonat më të mineralizuara, aty ku metalet e çmuara kanë më shumë gjasa të jenë depozituar. Edhe njolla e verdhë metalike në cep, një pikë e fortë ari e errët, tregon një zonë kristalizimi të vonshëm, ku metalet kanë mundur të përqendrohen.
Në këto dy gurë, floriri nuk shfaqet si thërrime, nuk shkëlqen në sipërfaqe. Ai qëndron i fshehur, i lidhur fort brenda piritit dhe kalkopiritit, pjesë e historisë së krijimit të tyre. Në vendburime si Spaçi, floriri nuk gjendet si thesar i dukshëm, ai është një sekret i brendshëm i mineralit, një gjurmë që zbulohet vetëm kur masa sulfurike studiohet, përpunohet apo analizohet.
Kjo është një tjetër video që është realizuar brenda galerive. Sërish e njëjta ngjyrë dominon. Çdo gur, pavarësisht madhësisë që ka, ngjyrat dhe nuancat tregojnë për minerale të rralla. Vetëm me sy të lirë sigurisht që nuk mund të përcaktohet vlera e tyre, por institucionet, nëse do të bënin analiza lëndës së parë që del nga nëntoka përpara se të eksportohet, do të mund të përcaktonte lehtësisht elementët që përmban bakri.
Videot që po shihni në ekran janë realiteti i nëntokës në Spaç, Letitna e Gurth. Të gjitha këto galeri shfrytëzohen nga e njëjta kompani “Tete Albania”. Spaçi është në kufi me Munellën, pra bëhet fjalë për të njëjtën masiv shkëmbor që shfrytëzohet. Në të shkuarën në këto zona është nxjerrë flori i pastër, po sot çfarë ndodh?
