Këtë të diel doli në “dritë” një tjetër skandal, se si verërat miliona euro u zhdukën nën “hundën” e shtetit.
Siç dhe raportuam më herët djali i xhaxhait të Ergys Agasit, Eno Agasi u shpall në kërkim nga Prokuroria e Tiranës pasi dyshohet se ka penguar zbulimin e të vërtetës.
Hetimet tregojnë se gjatë natës, Eno Agasi ka larguar të gjithë sasinë e verës nga kantina e zbuluar në banesën e kushëririt të tij, Ergys Agasi.
Jo vetëm kaq, por më pas është hequr edhe serveri i kamerave të sigurisë, duke fshirë çdo provë të mundshme mbi lëvizjen e mallrave dhe personave.
Kur furgonët e Doganave janë rikthyer për të marrë verën dhe për ta transportuar drejt ruajtjes, kanë konstatuar se kantina ishte bosh.
Koleksioni i zhdukur, i njohur si “Petrvs Pomedol”, përfshinte shishe shumë të rralla, disa prej të cilave datonin që nga viti 1922. Ai u zbulua gjatë një kontrolli të ushtruar nga agjentët e BKH-së, me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të hetimeve për tenderat e dyshuar të manipuluar nga AKSH-i.
Për shkak se vera ishte pa pullë fiskale dhe e futur kontrabandë, Prokuroria njoftoi Drejtorinë e Doganave, e cila bëri inventarizimin për disa orë dhe përllogariti një dëm prej rreth 400 mijë eurosh ndaj buxhetit të shtetit nga mospagimi i akcizës dhe detyrimeve të tjera.
Por, pikërisht këtu nis edhe skandali më i madh! Megjithëse bëhej fjalë për një mall me vlerë miliona euro, shishet nuk u transportuan menjëherë për t’u bënë në ruajtje nga shteti.
Përkundrazi, vera u la në objekt, praktikisht në duart e Eno Agasit, i cili më pas e zhduku atë gjatë natës duke tentuar që të fshijë çdo gjurmë dhe përmes heqjes së serverit të kamerave të sigurisë.
Për këtë çështje po hetohet jo vetëm zhdukja e koleksionit të verërave, por edhe përgjegjësia e mundshme e strukturave doganore, të cilat kishin detyrimin ligjor të sekuestronin mallin.
Prokuroria ka dyshime se kantina dhe koleksioni i verërave mund të jenë përdorur edhe për pastrim parash.
