Donald Hoxha, i akuzuar si një nga personat e përfshirë në rolin e ndihmësit në vrasjen e ish-oficerit të Antidrogës, Roland Rexhepit, i njohur ndryshe si “Doda” në vitin 2009 është shpallur i pafajshëm nga gjykata e Elbasanit.
Vendimi u mor këtë të martë, në një kohë që prokuroria kishte kërkuar dënimin e të pandehurit me 16 vite burgim, për akuzën e vrasjes me paramendim të ish-oficerit të Antidrogës.
Prokuroria e Elbasanit ka reaguar pas vendimit, duke deklaruar se do ta ankimojë në shkallë më të lartë, duke kërkuar që Hoxha të mbahet përgjegjës për akuzat e ngritura.
Më herët për vrasjen e Dodës, janë dënuar Florind Shabani, Armand Llakaj, Marjus Tafaj, Florin Shabani, Armand Llaka dhe Marjus Tafaj. Ndërsa Gëzim Balla vijon të jetë në kërkim.
Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.
Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.
Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit
