Detaje të tjera mësohen në lidhje me vrasjen e ndodhur pak ditë më parë në hyrje të një pallati në Shkodër, ku u vra me tritol 67-vjeçari Hysni Imeri.
Sipas gazetares së News 24, Xhensila Kodra, personi që ka vendosur tritolin në panelin elektrik të pallatit ku banonte ka qenë 27-vjeçari Gerti Bushati, i cili është në mesin e 4 të arrestuarve si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Gerti Bushati dyshohet se është paguar nga dy të tjerët, por policia ka dyshime gjithashtu se mund te ketë persona të tjerë që i kanë urdhëruar këta shtetas për të kryer vrasjen.
Kanë qenë kamerat e sigurisë që e kanë “tradhtuar” të riun dhe është fokusuar teksa ka vendosur lëndën plasëse brenda në panel. Nga autoritetet, 27-vjeçarit Gerti Bushati i janë sekuestruar rrobat që ka përdorur ditën e vendosjes së tritolit.
Në pranga u vunë edhe tre të tjerët Ergys Ibrahimi 27 vjeç, Edison Hasaj 25 vjeç dhe Gjergji Zefi, 24 vjeç. Më pas këta shtetas janë lënë qëllimisht në një ambient të mbikëqyrur nga grupi hetimor.
Të rinjtë kanë komunikuar me njëri tjetrin, por pa e ditur se mbaheshin nën vëzhgim, por ndërkohë në deklarimet e tyre pasi u arrestuan dëshmitë kanë qenë kontradiktore. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Zbardhet vrasja me lëndë eksplozive e shtetasit H. Y., e kryer më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit H. Y., bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-G. B., 27 vjeç
-E. I., 27 vjeç
-E. H., 25 vjeç
-Gj. Z., 24 vjeç
Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Post navigation
