Nëse ka një moment ideal për të pirë kafe, ai është mëngjesi. Një studim i publikuar në European Heart Journal nga studiues të Universiteti Tulane në SHBA tregon se personat që konsumojnë kafe në orët e para të ditës kanë shëndet më të mirë të zemrës. Sipas autorit kryesor, Lu Qi, kafeja e mëngjesit lidhet me një rrezik më të ulët të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare dhe nga çdo shkak, si dhe me uljen e rrezikut për sëmundje kronike si diabeti i tipit 2.
Studimi analizoi të dhënat e 40,725 të rriturve nga Anketa Kombëtare e Shëndetit dhe Ushqyerjes (1999–2018). Rezultatet treguan se ata që pinin kafe në mëngjes kishin 16% më pak gjasa të vdisnin nga çdo shkak dhe 31% më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet e zemrës, krahasuar me ata që nuk pinin fare kafe. Ndërkohë, nuk u vu re asnjë përfitim i ngjashëm te personat që e konsumonin kafenë gjatë gjithë ditës.
Interesant është fakti se përfitimet u vunë re pavarësisht sasisë së kafesë së mëngjesit, qoftë konsum i moderuar (2–3 filxhanë) apo i lartë (më shumë se 3 filxhanë). Vetëm ata që pinin shumë pak – një filxhan ose më pak – përjetuan përfitime më të kufizuara, duke forcuar idenë se koha e pirjes së kafesë është po aq e rëndësishme sa edhe sasia.
