Policia e Tiranës ka zbuluar një skemë mashtrimi, duke arrestuar katër persona të dyshuar se kanë përvetësuar 40 mijë euro nga një biznesmen. Të arrestuarit janë Krenar Toromeni (36 vjeç), Ilia Gjini (24 vjeç), Artur Lecini (39 vjeç) dhe Elton Rrushi (38 vjeç). Sipas hetimeve të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik, ata kanë mashtruar një 55-vjeçar duke u paraqitur në rrjete sociale si Tonin Marinaj.
Autorët i kanë kërkuar borxh shumën prej 40 mijë eurosh biznesmenit nga Shkodra, Ilir Rexhvela, duke pretenduar se paratë nevojiteshin urgjentisht. Përmes mesazheve në aplikacionin Viber, ata kanë lënë një takim pranë aeroportit të Rinas, ku kanë marrë shumën e parave dhe janë larguar.
Pasi ka kuptuar se ishte mashtruar, biznesmeni ka bërë denoncim në polici, e cila pas veprimeve hetimore ka identifikuar dhe vënë në pranga autorët. Hetimet për këtë çështje vijojnë.
