Brenda 5 viteve, tekstet shkollore do të ndryshojnë në përgjigje të kritereve për anëtarësimin në bashkimin europian. Programet e reja mësimore janë miratuar nga Ministria e Arsimit, do të shërbejnë si udhëzues për hartuesit apo mësuesit për përditësimin e kurrikulave në kohë të ndryshme për nivele shkollore. Ekspertët sugjerojnë që në këtë fazë, ndryshimet të jenë në përputhje me realitetin e nxënësve shqiptarë.
Dokumentet orientojnë arsimtarët të përfshijnë internetin në procesin shkollor, si edhe zhvillimin e njohurive të nxënësve me ndihmën e inteligjencës artificiale.
“Është e rëndësishme të shkojmë drejt dixhitalizimit, mësimi të jetë interaktiv dhe jo të mbetet vetëm përcjellës informacioni. Edukimi politik, fetar, ndaj ekstremizmit apo dhunës, si informacion i shtuar është shumë i dobishëm në kohën ku jetojmë. Ajo që të rinjtë përvetësojnë nga ambjentet shoqërore të integruara me kurrikulat mësimore aq më shumë do të ndihen më të mbrojtur”, tha Irsa Ruçi, eksperte arsimi.
Programi i përditësuar i gjuhës shqipe nuk ka me prioritet vetëm përdorimin e saktë të gjuhës nga ana gramatikore, por të fitohen aftësi për të përdorur gjuhën në situata të ndryshme komunikimi.
Me rëndësi në reformën kurrikulare shihet qasja socio-emocionale në mësimdhënie, zhvillimi i empatisë dhe ndërtimi I një identiteti qytetar të vetëdijshëm te nxënësit./ Top Channel
