Ernest Muçi vazhdon të shënojë gola me një rregullsi mbresëlënëse në Turqi, teksa ka lënë gjurmë edhe sot në Kupë me fanellën e Trabzonsporit.
Në ndeshjen e raundit të dytë, në fazën me grupe, e zhvilluar në fushën e Istanbulsporit, ishte pikërisht sulmuesi shqiptar ai që hapi serinë e golave.
Muçi tundi rrjetën në minutën e 41-të me një diagonale të shkëlqyer, duke konfirmuar edhe një herë formën e tij të jashtëzakonshme.
Por protagonizmi i tij nuk u ndal me kaq. Në pjesën e dytë, Muçi realizoi edhe golin e dytë personal, duke kompletuar dopietën dhe duke qenë lojtari vendimtar i takimit.
Golat e tij ndezën tribunat, ku tifozët e Trabzonsporit shpërthyen në brohoritje “Muçi, Muçi”, një dëshmi e qartë se sulmuesi shqiptar është shndërruar shumë shpejt në idhull për ta, pavarësisht se ka vetëm pak muaj pjesë e kësaj skuadre.
