Mbrëmjen e kësaj të mërkure, në studionin e emisionit “Top Story” po diskutohet lidhur me ngjarjen e regjistruar një ditë më parë, ku mesditën e së martës, nga ambientet e spitalit të Durrësit u arratis i burgosuri Altin Ndoci.
Pjesë e panelit ka qenë edhe gazetari Elton Qyno, i cili është ndalur te vrasja e dy vëllezërve Haxhia më 27 prill të vitit 2020.
Sipas Qynos, familjarët dy vëllezërve i kishin kërkuar Ndocit që t’i jepte besën që nuk kishte “gisht” në vrasjen e bijve të tyre, e njëjta që i ishte kërkuar edhe Talo Çelës. Ky i fundit pas kësaj kërkesë të prindërve të dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia, u detyrua që të dilte në një intervistë për të sqaruar pozicionin e tij.
Sipas asaj që gazetari ka theksuar “skenari” për t’ia faturuar këtë vrasje Ndocit dhe Çerlës ka qenë e urdhëruar nga Nuredin Dumani, armiku i tyre.
“Familjarët e dy vëllezërve i thanë që vendos dorën në Bibël ose Kuran që s’ke lidhje, ose e betohu qe ‘ske lidhje me vrasjen e dy vëllezërve. Vrasja e dy vëllezërve shoi një familje. Donte të merrte një garanci, bese qe ke marrë apo jo/ Këtë e kanë bërë edhe te Altin Ndoci dhe te Talo Çela. Çela doli atëherë në intervistë te Spartak Koka që sqaroi pozicionin e tij. Talo Çela ka qenë ne shtëpinë e dy vëllezërve Haxhia.
Ndërsa Ndoci ka qenë në shtëpinë e tij. Të dy bënin be që nuk kemi qenë ne që kemi vrarë dy vëllezërit. Klevis Alla merrej i mirëqene se kishte treguar dy ngjarje me katër viktima dhe kishte treguar dhe vendet ku ishin hedhur armët, kishte krijuar bindje. Dhe kështu u besuan dhe deklaratat e tij për Ndocin. Por në fakt Klevis Alla ishte mësuar nga Nuredin Dumani që nëse të arreston policia do tregosh për Altin Ndocin dhe Talo Çelën sepse këta të dy janë dy armiqtë e Nuredin Dumanit”, ka bërë të ditur Qyno mbrëmjen e kësaj të mërkure.
Altin Ndoci mbahej në paraburgim që prej muajit maj 2020 me urdhër të SPAK, i akuzuar për një sërë vrasjesh të bujshme që tronditën Durrësin. Ai akuzohet si pjesë e grupit kriminal “Çopja” dhe njihet si organizator i atentateve mafioze.
Emri i tij lidhet me ekzekutimin e Anxhelo Avdisë dhe Dorjan Shkozës më 2 mars 2020, si dhe me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia më 27 prill të po atij viti.
Ndoci nuk është i panjohur për drejtësinë. Që në vitin 2015 ai ishte arrestuar për një sërë veprash penale, përfshirë mbajtjen pa leje të armëve luftarake, mosbindjen ndaj policisë, sigurimin e mjeteve për vjedhje dhe vjedhjen, por kishte arritur të përfitonte lirinë përmes manovrave ligjore.
Më vonë, ai u arrestua sërish gjatë operacionit të bujshëm “Plumbi i Artë”, ku SPAK e akuzoi për katër vrasje, bazuar kryesisht në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Klevis Alla.
Pas katër vitesh hetime, të gjitha këto akuza ranë, pasi vetë prokuroria u bind se deklarimet e Allës nuk qëndronin. Alla u shpall gënjeshtar, humbi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe u dënua me 25 vite burg. Në prill 2024, Altin Ndoci fitoi pafajësinë për këto akuza, por liria e tij mbeti vetëm formale.
SPAK ngriti menjëherë akuza të reja, këtë herë të mbështetura në dëshminë e një tjetër bashkëpunëtori të drejtësisë, Nuredin Dumani. Në një dosje tjetër, Ndoci akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, si dhe për mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve dhe municioneve, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
