Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalë përmbledhëse pas mbylljes së mbledhjes maratone të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u diskutua funksionimi i Kuvendit dhe vijimi i reformave prioritare. Në fjalën e tij, Rama denoncoi ashpër sjelljen e opozitës në Parlament, duke e cilësuar si pengesë serioze për proceset normale parlamentare.
Rama u shpreh se deputetët e opozitës marrin më shumë kohë fjale sesa në parlamentet e vendeve të Bashkimi Evropian, jo përmes debatit normal, por përmes ndërprerjeve dhe abuzimit me procedurat. Ai theksoi se kjo praktikë përbën “pengmarrje të Kuvendit dhe publikut”, duke e kthyer sallën parlamentare në një “teatër balte”, gjë që sipas tij nuk tolerohet në asnjë parlament demokratik.
Kryeministri nënvizoi se rregullorja e Kuvendit duhet zbatuar me seriozitet dhe se masat ndaj shkeljeve duhet të jenë të menjëhershme. Ai paralajmëroi se Partia Socialiste nuk do të lejojë që sjellje të tilla të bllokojnë institucionin më të lartë ligjvënës të vendit dhe se ritmi i reformave do të vijojë pa u ndalur, në respekt të standardeve demokratike dhe praktikave evropiane.