Kafeina është një nga substancat më të përdorura në botë, kryesisht përmes kafesë, sepse stimulon trurin dhe rrit energjinë. Megjithatë, krahas përfitimeve, ajo mund të ketë edhe efekte anësore, sidomos kur konsumohet në sasi të mëdha ose në orët e vona të ditës.
Si e ndikon kafeina gjumin?
Kafeina aktivizon sistemin nervor dhe i “sinjalizon” trurit të qëndrojë zgjuar. Edhe nëse e pini kafen në mëngjes, gjurmë të kafeinës mund të mbeten në organizëm për shumë orë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se nuk flini, por gjumi bëhet më sipërfaqësor. Truri qëndron më gjatë në fazën e ëndërrimit (REM), çka rrit mundësinë për ëndrra të këqija dhe makthe.
Kafeina dhe stresi
Kafeina nxit prodhimin e kortizolit, hormonit të stresit. Kjo ju bën më alert, por edhe më të tensionuar, sidomos nëse konsumoni shumë kafe gjatë ditës. Stresi i lartë lidhet drejtpërdrejt me ankthin, pagjumësinë dhe shfaqjen e maktheve, si dhe me ndjenjën e lodhjes në mëngjes.
Çfarë mund të bëni?
-
Shmangni kafeinën 4–8 orë para gjumit
-
Nëse jeni shumë të ndjeshëm, ndaleni edhe 10–12 orë më herët
-
Kufizoni jo vetëm kafenë, por edhe çajin e zi, pijet energjike dhe çokollatën
-
Zëvendësoni kafen e pasdites me pije pa kafeinë (çaj bimor, ujë)
Në këtë mënyrë, përmirësoni cilësinë e gjumit, ulni stresin dhe reduktoni ndjeshëm rrezikun për makthe dhe pagjumësi.