Në “Studio24”, Kadillari theksoi se fenomeni i mashtrimeve përmes Call Center-ave nuk është i ri, pasi skema të ngjashme kanë funksionuar edhe më herët me kompani telefonike apo produkte të ndryshme. Sipas tij, ajo që ka ndryshuar është metodologjia, e cila sot është më e sofistikuar dhe përfshin përdorimin e kriptomonedhave.
“Metodologjia që përdorin është shumë e re dhe shoqëria jonë nuk ka ende informacionin e nevojshëm. Grupet dashakeqëse janë disa hapa përpara dhe përfitojnë nga mungesa e kulturës financiare”, u shpreh Kadillari.
Eksperti paralajmëroi se dhjetëra shqiptarë kanë rënë pre e mashtrimeve me kriptomonedha, kryesisht persona pa përvojë në investime apo sipërmarrje, të cilëve u premtohen fitime të shpejta dhe të sigurta.
Ai nënvizoi se, ndonëse një pjesë e kriptomonedhave kanë shënuar rritje, investimet në këtë treg nuk janë “fabrikë parash” dhe ndjekin cikle të caktuara. Kadillari bëri thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe informim të qytetarëve mbi rreziqet dhe mënyrën e funksionimit të tregut të kriptomonedhave.
“Qytetarët duhet të kenë një kulturë bazike financiare dhe të mos bien pre e premtimeve për fitime të garantuara”, përfundoi ai.
Kadillari: Metodologjia që përdorin është shumë e re. Ne në këtë fazë kemi një popullatë që nuk ka shumë informacion, dhe grupe dashakeqëse janë shumë hapa para. Duhet në këtë aspekt edhe ndërgjegjësim apo informacion se çfarë janë kriptomonedhat ku duhet të investohet. Është e vërtet që një pjesë e kriptomonedhave janë rritur, por qytetarët duhet të kenë informacion sepse kanë ciklet e tyre. Duhet një kulturë bazike sepse nuk është një fabrikë parash. Premtojnë që do japim fitime. Pre të mashtrimeve kanë rënë me dhjetëra shqiptarë. Zakonisht bëhen pre ata persona që nuk kanë informim të mirë në këtë çështje që nuk ka eksperiencë me sipërmarrjen apo investime
© Panorama.al