Pas përfundimit të një takimi në një hotel të qytetit të Vlorë, Ivanka Trump, vajza e presidentit të SHBA-ve Donald Trump, ka vijuar axhendën e saj me një ndalesë në zonën e hidrovorit në Akerni. Vizita është zhvilluar nën masa të forta sigurie, me prani të shtuar të forcave të policisë dhe në shoqërinë e arkitektëve të njohur.
Sipas burimeve, ndalesa kishte si qëllim vlerësimin nga afër të vijës bregdetare, hapësirave përreth dhe infrastrukturës ekzistuese, për të analizuar potencialin zhvillimor të territorit. Akernia konsiderohet një nga zonat më të izoluara pas viteve ’90, por njëkohësisht një prej hapësirave me perspektivë të lartë për investime strategjike dhe turizëm elitar, falë pozicionit gjeografik dhe kushteve natyrore.
Ndër vite, zona ka nisur të tërheqë interes në rritje, veçanërisht pas ndërtimit të aeroportit të ri të Vlorës, çka ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve të pronave. Prania e Ivanka Trump ka shtuar vëmendjen publike dhe spekulimet se Akernia mund të jetë në fokus të projekteve të ardhshme me profil të lartë, të lidhura me zhvillimin ekonomik dhe turizmin luksoz në jug të vendit.