Turizmi rrit çmimet/ Si po shtrenjtohet jeta për shqiptarët?

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në muajin dhjetor, kur inflacioni ishte 2.2%, rreth 54% e rritjes së çmimeve erdhi nga tre grupe të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin turistik. Grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kontribuoi me 0.96 pikë përqindje, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.15 pikë dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0.08 pikë përqindje, duke treguar peshën në rritje të turizmit në strukturën e inflacionit.

Kjo prirje nuk ishte e përkohshme. Gjatë gjithë vitit 2025, inflacioni mesatar qëndroi në nivelin 2.2%, por presionet u përqendruan kryesisht në sektorë të ndikuar nga flukset turistike. Shërbimet e akomodimit u rritën me 6.5%, argëtimi dhe kultura me 5.6%, ndërsa konsumimi jashtë shtëpisë – kafe, restorante, pije alkoolike dhe ushqime – shënoi rritje të ndjeshme. Edhe shërbimet e transportit u shtrenjtuan me 3.9%, pavarësisht rënies së çmimeve të karburanteve, duke reflektuar rritjen e kërkesës sezonale.

Një nga elementët më problematikë mbeten qiratë, të cilat u rritën mesatarisht me 4.5% në vitin 2025, ndërsa në dhjetor kulmuan me 8%. Ky zhvillim lidhet me orientimin e banesave drejt qiradhënies afatshkurtër për turistët, sidomos në zonat urbane dhe bregdetare. Në Tiranë, çmimet për apartamente 1+1 kanë arritur deri në 900 euro në muaj, me rritje që variojnë nga 6% deri në 57% brenda një viti. Me mbi 12 milionë vizitorë të huaj në 2025, turizmi po nxit rritjen ekonomike, por njëkohësisht po e shndërron koston e jetesës për vendasit në një sfidë serioze sociale dhe ekonomike.


⏩𝐊𝐋𝐈𝐊𝐎 𝐊𝐄𝐓𝐔⏪ 𝐏𝐄𝐑 𝐓𝐄 𝐋𝐄𝐗𝐔𝐀𝐑 𝐋𝐀𝐉𝐌𝐈𝐍 𝐄 𝟐..!!!