“Malli” vinte nga Fieri/ Zbardhen DETAJE TË REJA nga operacioni “Anëtarët”, një armë shitej 700-800 euro

zbardhen detaje të reja lidhur me operacionin “Anëtarët”. Bëhet fjalë për një grup kriminal të përfshirë në trafikun e armëve të zjarrit prej disa kohësh, ndërsa një armë shitej 700-800 euro. Mësohet se ata nuk kanë lidhje me grupet e tjera të goditur muajt e fundit nga Komisariati nr. 4.

Sipas informacioneve paraprake, armët e sekuestruara dyshohet se i kanë sjell nga Fieri, ndërsa po në këtë qytet po hetohen persona të tjerë që mund të jenë pjesë e grupit. Armët shiteshin grupeve të tjera kriminale dhe dyshohet përdoreshin në ngjarje kriminale.

Bëhet me dije se njëri prej të arrestuarve është Ilir Zyberi, i njohur me mbiemrin Avdillari, pasi ka marrë mbiemrin e gruas. Ai është vëllai i Fatmir Avdillarit, i njohur si Xubi, i cili u aksidentua për vdekje në bulevardin “Migjeni” në 2021-in. Zyberi është i dënuar më herët për vrasje, si dhe i skeduar në vitin 2017 për drogë.

I njohur si një ndër anëtarët e bandës së Yzberishtit në vitet ’97­’98, ka qenë i dyshuar për të paktën 20 vepra të rënda penale. Dënimin më të rëndë prej 22 vitesh burgim, ai e mori për vrasje, duke e përfunduar disa muaj para se të arrestohej në vitin 2017. Ai ishte dënuar për ekzekutimin e biznesmenit italian Stefano Rossi, në janar të vitit 1998, në momentin kur Rossi kishte tërhequr 30 milionë lireta nga banka dhe u qëllua 100 metra larg fabrikës së tij.