Gjatë deklaratës së dytë zyrtare të Qendrës spitalore universitare Nënë Tereza nuk merren sërish përgjegjësi dhe as nuk kthehen përgjigje se përse nuk funksionuan gjeneratorët si zgjidhje e përkohshme e avarive teknike?!
Drejtori i shërbimeve mbështetëse në QSUt, Erjon Ngjelo nuk pranon rrezikun e krijuar për dhjetëra pacientë në reanimacion prej ndërprerjes së energjisë elektrike. Në shpjegimet e dhëna tregon vetëm shkakun nga lindi problemi i ikjes së dritave.
“Mbrëmjen e ditës së hënë u evidentuan problematika në furnizimin me energji elektrike, si pasojë e një avarie teknike të shkaktuar nga një defekt madhor në linjën e tensionit të lartë, jashtë territorit të QSUT. Situata u monitorua në bashkëpunim me OSHEE dhe furnizimi me energji elektrike u rikthye gradualisht”, u shpreh Erjon Ngjelo, drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në QSUT.
QSUT nuk dha detaje se pse kontrata e mirëmbajtjes e cila sipas burimeve të Top Channel nuk ishte rinovuar pas përfundimit, duke e lënë spitalin në mëshirë të fatit. Dhe gjithashtu nuk dha as siguri se një situatë e ngjashme nuk do të përsëritet.
Në dy sallat e reanimacionit për 30 minuta mbrëmjen e të hënës 30 pacientë u përballën me rrezikun për jetën, e familjarët e tyre në panikun e gjendjes së të shtruarve.
Teksa në errësirë, mjekët transferonin pacientët me respiratorë të lëvizshëm duke mbajtur parametrat nën kontroll./TopChannel/