Një 45-vjeçar shqiptar ka humbur jetën mbrëmjen e së premtes në Belgjikë, pas një incidenti me armë zjarri në fshatin Larum të qytetit Geel. Viktima është identifikuar si Marko Beka, taksist dhe banues prej vitesh në zonë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, pranë një parku pas kishës në qendër të fshatit.
Sipas autoriteteve belge, dyshohet se ngjarja ka nisur pas një debati mes viktimës dhe disa klientëve, i cili ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfunduar në përdorimin e armës së zjarrit. Pas incidentit, autorët janë larguar në këmbë dhe aktualisht janë në kërkim. Dëshmitarët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës, por 45-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Zona u rrethua për disa orë nga policia, ndërsa hetuesit dhe ekspertët e kriminalistikës po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave. Marko Beka ishte baba i tre fëmijëve dhe drejtonte një biznes privat taksish, duke u njohur nga komuniteti si një njeri i qetë dhe pa konflikte. Autoritetet belge vijojnë hetimet dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ndihmojnë me çdo informacion që mund të çojë në identifikimin e autorëve.