Gjykata e Krimeve të Rënda e Meurthe-et-Moselle ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për 27-vjeçarin Liridon Berisha, autor i vrasjes së partneres së tij, Stephanie Di Vincenzo, në maj të vitit 2021.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Hayange, ku 22-vjeçarja u godit për vdekje me thikë në mes të rrugës, teksa përpiqej të kërkonte ndihmë pranë komisariatit, vetëm pak metra larg banesës. Krimi u krye para syve të fëmijës 4-vjeçar të çiftit dhe u përshkrua nga dëshmitarët si jashtëzakonisht brutal.
Prokurori i përgjithshëm Nicolas Burkel e cilësoi aktin si “jashtë çdo normale për nga dhuna”, duke theksuar se autori nuk u ndal as nga prania e dëshmitarëve dhe as nga fëmija. Vendimi për burgim të përjetshëm u konsiderua përfundimtar dhe proporcional me rëndësinë e krimit që tronditi komunitetin lokal.