Ke 2 fëmijë dhe paga nën 1.2 mln lekë? Ja sa lekë të kthen shteti

Rreth 25,4 mijë lekë është kompensimi që mund të përfitojë një individ me të ardhura vjetore nën 1.2 milionë lekë dhe me dy fëmijë nën 18 vjeç, pas plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA). Shembulli konkret është sjellë nga “Monitor” dhe lidhet me përfitimin për shpenzimet e arsimit të fëmijëve, në kuadër të ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat.

Në rastin e paraqitur, bëhet fjalë për një mësuese të arsimit të mesëm publik, me të ardhura bruto vjetore 1,189,374 lekë dhe tatim të paguar 107,820 lekë për vitin 2025. Ajo ka dy fëmijë në ngarkim, ku një ndjek shkollë private. Për herë të parë, ajo ka plotësuar DIVA-n, duke deklaruar shpenzimet për arsimin në vlerë 100 mijë lekë, të mbështetura me dokumentacion justifikues.

Pas zbritjeve ligjore për punësimin, fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet arsimore, të ardhurat e tatueshme janë rillogaritur në 633,374 lekë, ndërsa tatimi përfundimtar rezulton 82,339 lekë. Diferenca mes tatimit të paguar dhe atij të rillogaritur, pra 25,481 lekë, përbën shumën e kompensimit që përfiton individi. Afati për dorëzimin e DIVA-s është 31 mars 2026.


⏩𝐊𝐋𝐈𝐊𝐎 𝐊𝐄𝐓𝐔⏪ 𝐏𝐄𝐑 𝐓𝐄 𝐋𝐄𝐗𝐔𝐀𝐑 𝐋𝐀𝐉𝐌𝐈𝐍 𝐄 𝟐..!!!