Zjarri në fabrikën në Greqi, gjendet edhe trupi i pestë i punëtores që humbi jetën mes flakëve

U gjet në orët e para të mëngjesit të së martës trupi i pajetë i gruas së pestë, e cila ishte shpallur e zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm dhe zjarrit që përfshiu fabrikën e biskotave Violanta në Trikala. Viktima u lokalizua pranë trupave të tre grave të tjera që ishin gjetur më herët, duke e çuar bilancin përfundimtar të tragjedisë në pesë punonjëse të vdekura.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak para orës 04:00, kur një shpërthim i fortë u pasua nga zjarr masiv në një nga repartet e fabrikës. Si pasojë, një pjesë e madhe e godinës u shemb, duke lënë të bllokuara brenda pesë gra. Në momentin e shpërthimit, në fabrikë ndodheshin 13 punonjëse, nga të cilat tetë arritën të shpëtonin, ndërsa pesë të tjera u shpallën të zhdukura.

Gjatë ditës së hënë, forcat e zjarrfikëses dhe njësitë speciale të EMAK, me ndihmën e mjeteve të rënda, gjetën trupat e pajetë të katër grave. Kërkimet vijuan gjatë gjithë natës, derisa në orët e para të së martës u lokalizua edhe viktima e pestë. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u dëgjua edhe në fshatrat përreth, duke shkaktuar panik në të gjithë zonën.

Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet greke kanë nisur hetimet. Në vendngjarje ka mbërritur DAEE, e cila po merr dëshmi nga punonjëset që i mbijetuan tragjedisë. Nga Athinë janë dërguar gjithashtu ekspertë, përfshirë inxhinierë elektrikë e kimikë dhe një piroteknik, për të analizuar shkaqet e shpërthimit dhe zjarrit. Kompania “Violanta” shprehu publikisht dhimbjen për humbjen e punonjëseve dhe u zotua të mbështesë familjet e viktimave.


⏩𝐊𝐋𝐈𝐊𝐎 𝐊𝐄𝐓𝐔⏪ 𝐏𝐄𝐑 𝐓𝐄 𝐋𝐄𝐗𝐔𝐀𝐑 𝐋𝐀𝐉𝐌𝐈𝐍 𝐄 𝟐..!!!

Leave a Comment