Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë, miratoi një paketë vendimesh që prekin administrimin publik, energjinë, kadastrën, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, qeveria vendosi krijimin e “Regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale)”, me qëllim rritjen e transparencës dhe përmirësimin e administrimit të informacionit mbi pronat. Gjithashtu, u miratua buxheti i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2026.

Në fushën e energjisë, u dha drita jeshile për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 95 MW dhe veprat ndihmëse përkatëse. Centrali do të ndërtohet në zonën kadastrale 3204, në njësinë administrative Synej, Bashkia Kavajë, Qarku Tiranë. Projekti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masa mbështetëse shtetërore.

Qeveria miratoi gjithashtu, në parim, marrëveshjen e financimit ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi–Shqipëri 2021–2027. Vendimi synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të vendit.

Në të njëjtën mbledhje, u vendos organizimi dhe funksionimi i agjencisë “Innovation4Albania” si person juridik publik buxhetor, me seli në Tiranë dhe në varësi të ministrit përgjegjës për inovacionin. Po ashtu, u miratua organizimi dhe funksionimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, gjithashtu si person juridik publik buxhetor, me seli në Tiranë.


⏩𝐊𝐋𝐈𝐊𝐎 𝐊𝐄𝐓𝐔⏪ 𝐏𝐄𝐑 𝐓𝐄 𝐋𝐄𝐗𝐔𝐀𝐑 𝐋𝐀𝐉𝐌𝐈𝐍 𝐄 𝟐..!!!

Leave a Comment