Një nga të mbijetuarit e aksidentit tragjik me shtatë viktima në Rumani ka folur për herë të parë mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe momentet e tmerrit që përjetoi. Ai u shpreh se ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën, por se po kalon ditë të vështira emocionale, pasi po mban zi për miqtë që humbën jetën në aksident. I plagosuri theksoi se aksidenti ishte jashtëzakonisht i rëndë dhe se pamjet i ka ende të freskëta në kujtesë.
Duke folur për dy të plagosurit e tjerë, ai tha se mjekët e kanë siguruar që edhe ata janë mirë. Ai rrëfeu se, ndërsa po transportohej me karrocë për të kryer një rezonancë magnetike, kishte dëgjuar zërat e tyre dhe kjo e kishte lehtësuar disi, pasi e dinte që ishin gjallë. Sipas tij, mjekët i kanë konfirmuar se gjendja e tyre është pozitive dhe se ekziston mundësia që të tre të kthehen me avion në ditët në vijim.
I mbijetuari tregoi se mban mend çdo moment të udhëtimit dhe të aksidentit dhe se nuk ka humbur ndjenjat asnjë çast. Ai tha se nuk është i sigurt se përse furgoni përfundoi në korsinë e kundërt, duke u përplasur ballë për ballë me kamionin. Sipas tij, automjeti ishte marrë me qira dhe grupi kishte udhëtuar nga Selaniku, ndërsa të gjithë ishin miq të ngushtë dhe e konsideronin njëri-tjetrin si familje.
Aksidenti ndodhi të martën në një segment të rrezikshëm rrugor në Rumani, disa kilometra pas Caraseves. Gjatë një manovre parakalimi, furgoni doli në drejtim të kundërt dhe u përplas me një kamion, duke u copëtuar pothuajse plotësisht. Si pasojë, humbën jetën shtatë persona, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur. Autoritetet rumune vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit.